Shah

Im atë më çonte shpesh pasditeve në kafenenë e dikurshme të Lidhjes së Shkrimtarëve. Për mbi dhjetë vjet, takova e njoha atje shumicën e autorëve të shqipes. Por më fort se kafeneja dhe figurinat e tymit të duhanit, - që ishin shumë më joshëse e të lira se sa librat që shkruanin, - më pëlqente një kthinë ku gjendej vetëm një llampë e pluhurosur, një kuti shahu dhe një njeri të cilin vazhdimisht e gjenim atje. Nuk mbaj mend cili ishte, di vetëm se nuk qe shkrimtar. Atje ulesha e luaja shah, duke dëgjuar monologjet zbavitëse të “kundërshtarit”. Humbja gjithmonë, kurse ai gazmendej si fëmijë, aq sa shpesh më vinte të humbja vetëm që ai të mos vuante. Pas humbjeve në shah, me një përpikmëri që sot nuk më duket e rastit, im atë më njihte me shkrimtarë breznish, krahinash e pamjesh të ndryshme. Lexoja tejmase për moshën që kisha, por ecja vetëm pas librave, jo pas autorëve. Me mirësjelljen që e ka shquar gjithmonë, im atë më thoshte: “Ky është xhaxhi shkrimtar Filani”, kurse Filanit: “Ky është im bir i madhi”. Atij: “I pëlqejnë librat e tu, të ka lexuar”; mua: “Thuaji xhaxhit, të lutem, cili libër i tij të ka pëlqyer më shumë”. Përgjigjet e mia ishin të çiltra, si më poshtë vijon: “Hamleti”, “Plaku dhe deti”, “Pinokio”, “Frymë të vdekura”, “20 mijë lega nën det”...