Pushteti i bashkëtingëlloreve



Elsa Demo: Çfarë është bërë shkas në krye të herës që ju të studioni letërsinë e ndaluar?

Ardian-Christian Kyçyku: Shkasi kryesor janë librat e mi në shqip e rumanisht. Besoj se, lidhur me këtë bisedë, ju keni parasysh “Një kontinent bashkëtingëlloresh, ose copëza nga fati i letërsisë së ndaluar në Ballkan (1945-1990)”. E përgatita për një takim ndërkombëtar, ku duhej të flitej për disa nga të vërtetat themeltare të letërsisë dhe të vendit që ajo zë, ose meriton të zerë në jetën e sotme. Kontinent bashkëtingëlloresh më duket Evropa zyrtare e këtyre tridhjet vjetëve, për shkak të qëndrimit që mban ndaj letërsisë në përgjithësi dhe ndaj asaj që është shlyer me vuajtje, në veçanti. Më duket se kemi mbetur peng në një hapësirë ku janë rralluar shumë zanoret… Prandaj mendoj se është koha kur për letërsinë e ndaluar në sa më shumë trajta të saj, të shprehen, shkencërisht e bindshëm, jo vetëm autorët e ndaluar dhe kundërshtarët e tyre, si deri më tash, por edhe ata që nuk mund të përfshihen krejt në asnjërin prej dy grupimeve. Si autor, - një dëshmi ishte botimi edhe në aq të vlefshmen antologji “Shqipëria kujton”, - unë bëj pjesë në një letërsi që mund të shihet si disafish e ndaluar: për shkak të temave, stilit, kumteve, mënyrës si qarkullon, si e zgjedh lexuesin, si trajtohet nga zyrtaria etj. Me gjithë hidhërimin që mund të zgjojë, e vërteta duhet thënë: nuk mjafton vetëm të jesh i ndaluar, duhet të bësh art të epërm. Të mbijetosh përmes artit, por edhe ai të mbetet pas teje, ta kapërcejë lirshëm, pa ‘paterica’ biografiko-politike, mbijetesën e autorit. Sepse shpesh shkatërrimi i një autori nuk është bërë për shkak të letërsisë së tij (veçmas ndaj autorëve me vepra të pabotuara, por të njohur si shkrimtarë), por letërsia e tyre është përdorur si mbulesë për arsye të rëndomta smire…
Mirpo në mendësinë e tanishme vuajtja e një njeriu ngatërrohet me nivelin e të shkruarës së tij dhe lexuesi, në vend që të nderojë vuajtjen e të mos e cënojë gjykimin ndaj letërsisë, pavarësisht kushteve në të cilat ajo është shkruar, bën të kundërtën. E njëjta gjë ndodh edhe kur vlera artistike përdoret si mjet për të ndrequr biografitë e autorëve. Nevojitet zemër e ngrohtë, mendje e ftohtë dhe pavarësi shpirtërore për të ruajtur barazpeshën, sepse me të dyja të vërtetat abuzohet shumë.

- Përse e lidhni me "fatin" historinë e kësaj letërsie?

Sepse letërsia, e ndaluar, ose jo, pasqyron fatin e autorëve dhe të vetvetes. Historia shndërrohet në fat dhe anasjelltas, ngaqë kjo letërsi, në kuptimin e parmë të fjalës, është më fort e lidhur me historinë, se sa me artin. Mbase nuk mund të ndodhë ndryshe kur historia i nënshtrohet krejt ideologjisë, pa lënë vend të dukshëm për shpirtin, dhe sprovon me shumë dhembje artistin. Në studim e kam përdorur fjalën “fat” ngaqë çmoj kohën e lexuesve, jo si pamundësi për t’u shkuar ca gjërave deri në fund. E ndonëse vlera e mirëfilltë letrare nuk varet nga sasia, por nga kahu dhe cilësia e vuajtjes së autorëve, në shumicën e rasteve ecuria e saj caktoi dhunshëm fatin jetik të mjaft prej tyre dhe të disa prej veprave që shkruan. Heminguej thotë diku se Dostojevskin nuk e bëri shkrimtar të madh burgu në Siberi. As Ovidin nuk e bëri poet botëror, - madje në një gjuhë që vdiq (latinishtja), - syrgjynosja në Tomis (Konstanca e sotme, në Rumani). Po ashtu, mungesa, ose përqëndrimi i vuajtjes atje ku nuk arrin të shohë kushdo, nuk ua kanë shkurtuar jetën e librave disa autorëve që nuk kanë vuajtur në mënyrë klasike. Dhuntia e bën shkrimtarin, jo vetëm vuajtja e njeriut brenda tij. Në thelb, kjo e shquan një autor prej të tjerëve: mënyra si dhe pse e shndërron vuajten, ciladoqoftë ajo, por edhe gëzimin, cilidoqoftë ai, në vepër letrare.

- Disa saktësime për krijimin letrar që konsiderohet "i ndaluar"?

Në letërsi të ndaluar mendoj se mund të përfshihet një grup idesh, shprehísh stilistike e kumte që kërcënojnë me zgjim, ose me çmitizim, një gjendje të caktuar politiko-ekonomike të shoqërisë. Mund të jenë të gjitha në një libër të vetëm, të shpërndara në disa libra që përfaqësojnë një vepër, në disa libra autorësh të ndryshëm, bashkëkohës me njëri-tjetrin, ose jo, por mund të gjenden edhe në disa vepra të plota njëheresh. Në varësi të shoqërisë, ka raste kur më fort kërcënojnë idetë, se sa stili; ka raste kur stili është aq përsosmërisht i gërshetuar me idetë, del prej tyre dhe i ngjiz ato, sa nuk mund të lejohet… Në veçanti, flasim për një epokë kur, siç shprehej mendimtari i ndaluar rumun I. D. Sarbu, (të cilin e kam cituar disa herë në ese): “Shoqëria e re gëlltiti njeriun dhe krejt institucionet e hershme; shteti gëlltiti më pas shoqërinë civile; partia gëlltiti shtetin; udhëheqja gëlltiti partinë, kurse Prijësi rrasi në xhepin e pasëm të pantallonave krejt udhëheqjen (Komitetin Qëndror, Komitetin e përhershëm, Kuvendin Popullor etj). Tani ka nisur lufta kundër një të vetmi. Fryma e Stalinit vigjëlon anembanë. E ai ka thënë: nëse partia hyn në konflikt me popullin, duhet flijuar… populli”. Në epoka të tilla, të paktën siç del nga të dhënat e historisë së letërsisë, por edhe nga të dhënat e letërsisë së historisë, pushteti përdor për të nënshtruar artin e të shkruarit një grup shkrimtarësh të rëndomtë, ose krejt mediokër. Sa më pragmatike dhe e politizuar të jetë një shoqëri, aq më vështirë qarkullon letërsia e mirëfilltë. Shkaqet e ndalimit duken të pafundëm, por në thelb janë një: o nën zgjedhën time, o mes të vdekurve. Po nuk ishe politically (ose: economically) correct, rrezikon të mos jesh fare. Qarqe të caktuara pushteti veprojnë nga brenda, duke zgjuar e acaruar një smirë rrënjore, gati të lindur njëheresh me njeriun. Ndonëse në fshehtësi të madhe, çdo autor di se çfarë ka shkruar e shkruan pa dhunti, pra për emër, bujë, fitime të çdo lloji etj. Sado i dobët të jetë një shkrimtar, ai e nuhat se ku nuk e ka vendin dhe, i joshur nga pushteti, rropatet të mbytë vetëdijën e të bëhet ai që nuk është, sipas parimit luaj sa më shpesh gjeniun, se një ditë mund të gdhihesh gjení. Që këtu vërshojnë pastaj shumë nga gjërat e rreme të letrave, duke nisur me plagjaturat e stërholluara, vjedhjet e paturpshme, shkërbimet, idhujtaritë, egërsia ndaj shoshoqit, a thua se njeriu rron më gjatë se librat e vet. Kështu soset në gjendjen kur mjaft autorë vërtet jetojnë më gjatë se librat e tyre. Se asnjëherë pushteti nuk e ka ndaluar, ose nuk ia ka mpakur kufijtë letërsisë pa ndihmën, shpesh poshtërsisht të zellshme, të një grupi shkrimtarësh, të dobët, apo edhe të talentuar, por të tillët, me kohë, kanë humbur jo vetëm nderin, por edhe emrin.
Një nga mënyrat më të sakta për të zbuluar vlerat e letërsisë së ndaluar, më duket botimi i saj në një gjuhë e kulturë tjetër. Duke u ndodhur për rreth njëzet vjet larg arenës ku gjykoheshin të përditshmet, në një kulturë tjetër, që kish vuajtur gjithashtu nën totalitarizëm, im atë, Kopi Kyçyku, por edhe unë, përkthyem, botuam e bëmë të njohur, në Rumani e gjetkë, disa nga zërat e ndaluar të shqipes, duke nisur me ata që i paguan vargjet me kokë, si Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi e Genc Leka, tek Bilal Xhaferri, Kasem Trebeshina, Et’hem Haxhiademi, Musine Kokalari, Zef Pllumi e Pjetër Arbnori, tek Agim Musta, Bashkim Shehu, Bedri Myftari, Daut Gumeni, Zyhdi Morava, Gjergj Titani, por sidomos disa të ndaluar të një lloji tjetër, me vepra më të arritura nga ana letrare, si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Anton Pashku, Martin Camaj, Petro e Jamarbër Marko, Hiqmet Meçaj, Frederik Reshpja, Faik Ballanca, Adhurim Lako, Anton Çefa, Ferik Ferra e të tjerë. Të njëjtën gjë kemi bërë duke sjellë në shqip autorë rumunë, si Arsenie Boca, Monsinjor Vladimir Gjika, Paul Goma, I. D. Sarbu, Radu Gyr, Ioan Ianolide etj. Secili syresh ka nga një trajtë të veçantë, jo vetëm në të shkruar, por edhe në sprovat që e kanë penguar t’ia kumtojë artin e vet lexuesit.

- Përse nuk është e mjaftueshme liria themelore e shprehjes, që të shkruash letërsi në fshehtësi dhe larg politikës së tiranisë? Këtu diskutimit ju i merrni në fokus diçka më intime dhe më të brendshme për shkrimtarin...

Nuk di të jetë zbatuar gjer më sot ndonjë politikë, e cila t’i shkojë për shtat qënies së shkrimtarit, që nuk shkruan për t’u shitur. Edhe për këtë arsye, kufiri mes pushtetit letrar dhe atij politik nuk ndahet qartë nga mjaft shkrimtarë. Por, përgjithësisht shkrimtarët që braktisnin letërsinë për politikën dhe politikanët që dynden në letërsi, nuk varfërojnë me zhvendosjet e tyre as politikën, as letërsinë. Secili mundohet të gjejë vetveten e ndoshta e kupton se Letërsia bart e zhvillon një politikë të epërme, globale, përderisa përqëndrohet në fatin dhe bëmat e shpirtit njerëzor, jo e kundërta. E kur ndodh që Letërsia ia hap sytë lexuesit në hapësira ku sundon politika e varfër, gati biologjike, pa vizion, ose me vizione të kopjuara, të klonuara e të shartuara, ajo kërcënon pushtetin dhe „duhet” ndëshkuar. Një nga ndëshkimet është stërmbushja e arenës letrare dhe e shtypit (përfshi libraritë, tubimet shkencore e letrare, panairet, ekranet) me të paftuar, të cilët jo vetëm janë shumë, por edhe shkruajnë parreshtur, botojnë me kile, gërditin kohë lexuesish dhe relativizojnë të vërtetën. Mund të dëgjosh shpesh tani në Ballkan e gjetiu habinë e hidhur të shumë intelektualëve e shkrimtarëve: Ku vajti liria e shprehjes për të cilën luftuam, se sikur luftuam që të ngadhnjenin dështakët e të mos na linin kohë e vend as të marrim frymë, jo më të krijojmë ?!… Me të drejtë, në fund të viteve ’80 të shekullit që shkoi, I. D. Sarbu besonte se art i të shkruarit është „shuma e rreziqeve që merr përsipër teksti si letërsi dhe teksti si pjesë përbërëse e vetëdijës shpirtërore të popullit që na ka dhënë hua gjuhën dhe në emër të të cilit shkruajmë. Sepse tani, në kohën e të rrosh a të mos rrosh-it… e Vërteta dhe Liria nuk janë më koncepte në vetvete, por dhembje të gjalla që presin të tmerruara në errësirë, qoftë një vdekje të rrufeshme, qoftë një shërim të gjatë, të vështirë, ose të dhimbshëm…”

- Rastit shqiptar për fenomenin në Ballkan ju i merrni vetëm Kasem Trebeshinën dhe i referoheni promemories së tij për Enver Hoxhën. Mjafton?

Rasti përkatës është sjellë si dëshmi për dy kahet e padrejtë nga të cilët këqyret letërsia e ndaluar: disa ngulmojnë se të gjithë kundërshtarët e regjimit nuk para dinin ç’bënin, shkruanin kuturu, përçarteshin dhe, në fakt, kërkonin gjëra të rëndomta, jashtë ideologjisë, ose thjesht ngaqë ndiheshin të pashpërblyer sa duhej nga regjimi; disa të tjerë ecin pas parrullës ‘Unë kam vuajtur më shumë - unë meritoj më shumë vëmendje, nderime, çmime…”. Në ese them qartë se “Disidentët ballkanas përballuan torturat dhe burgun sikur të kishin qënë kriminelë në seri. (…) Shumica e tyre u flakën në skëterrë nga sivëllezërit spiunë... Ndaj fatit të autorëve të ndaluar ‘largpamësia’ djallëzore punoi me themel dhe jo pa sukses. Duke qënë të burgosur si gjer në pambarim, populli do t’i përftonte fillimisht si ca tradhtarë, më pas - të ndarë në: heronj dhe hafije, në mishërime të qëndresës dhe të shitjes së shpirtit. Kësisoj përmasat e tyre do të kapërcenin kufijtë njerëzorë në të dy drejtimet dhe, nëse ndodhte të liroheshin nga burgjet, njerëzit do të prisnin fanitjen e dy grupeve: ca mbinjerëz, ca maskarenj. Dhe realiteti do t’i zhgënjente, se tek kundërshtarët e regjimit vetëm vuajtjet mund të jenë të pamata, jo edhe dhuntitë artistike”. Ndërkaq, shkrimet e tyre do ta humbnin aktualitetin, freskinë, dhe njerëzia do të përqëndrohej në vuajtjet e përditshme, do të mbyllej në guackën e mbijetesës, larg çdo idealizimi, në skaj të një demokracie që do të zëvendësonte dalngadalë ideologjinë çnjerëzore me ligjet ekonomikë, mjegulluar nga utopi, modë, reklamë e çinglamingla, duke punuar vetëm për të zgjuar mallin ndaj regjimit të shkuar.

- Letërsia e ndaluar dhe letërsia e realizmit socialist, a nuk i varfëron ky ballafaqim të vërtetat dhe vlerat e sakrificës të asaj që ishte e ndaluar? Cilat janë vlerat përtej kohës kur u shkrua?

Varfëria rritet, ose zvogëlohet në varësi të rrugës që zgjedhin shkrimtarët e rinj, sidomos ata që bëjnë letërsinë e së ardhmes, ndonëse pakkush guxon t’i vlerësojë publikisht dhe zyrtaría bën sikur nuk i sheh. Ato dy letërsi, përmes korifenjve të tyre, janë ndeshur dhe ndeshen me një ashpërsi të dyshimtë, duke dëshmuar, - për fat a për histori të keqe, - se jo letërsia është thelbi i çështjes. Dhe dihet se, kur kalon shumë kohë me hasmin, nis të përdorësh armët e tij dhe ka rrezik që një ditë të zgjohesh binjak me të. Ka shumë debate pa bukë dhe më duket sikur asnjëra nga palët nuk po shkruan më letërsi, por, përmes grindjeve, mundohet ta mbajë letërsinë e tejkaluar në qendër të vëmendjes së lexuesit. Pikërisht kështu është bërë historikisht politizimi i letërsisë, letrarizimi i politikës dhe shumë pena të afta janë tharë. E ka thënë Sollzhenicini në njërin ndër fjalimet e tij: „I mallkuar është ai vend, letërsia e të cilit rri nën kërcënimin e politikës. Se nuk është më fjala, në këtë rast, për një dhunim të së drejtës së shprehjes së lirë, po për shembjen e zemrës së një kombi, për shkatërrimin e kujtesës së tij. Ky komb do të pushojë së dëgjuari qënien e vet, atij do t’i merret bashkimi shpirtëror dhe, - përkundër një gjuhe që cilësohet si e përbashkët, - njerëzit nuk do të jenë më në gjendje të merren vesh mesveti... Vargje brezash të heshtur plaken e vdesin pa thënë një fjalë. Kur shkrimtarët dënohen të krijojnë në heshtje, fshehurazi, pa dëgjuar ndonjëherë jehonën e fjalëve të shkruara prej tyre, nuk mund të jetë më fjala për një tragjedi vetjake, po për martirizimin e një populli të tërë...

- Në të vërtetë, si lexohet sot letërsia e shkruar dhe e ndaluar gjatë sistemeve komuniste dhe socialiste?

Më duket se ajo po bëhet muzeale. Ende zgjon kurreshtjen ndër lexues që shohin në qëndresën ndaj totalitarizmit shënja të qëndresës ndaj globalizimit. Por letërsia e vërtetë, para se të ketë ide, kumte madhore etj, duhet të ketë hijeshi, ndjenjë të zgjedhur, tinguj të brendshëm, që e grishin lexuesin drejt fisnikërimit, e zbutin, e largojnë nga idhujtaria dhe e afrojnë me Krijuesin. Me poetikën e saj më të thellë, Letërsia duhet ta bindë lexuesin se vdekja nuk është rrëfenjë dhe, po mundi, ta mësojë si vdiset në paqe… Mund të duket padurueshëm patetike, por ndaj leximit të shtrembër të një letërsie ndikon tejmase gjendja e bashkësisë së shkrimtarëve. Sherret mes grupeve dhe klaneve duket se janë emblematike, por shpresoj që vlera e librave të mposhtë dikur etjen marroke për përjetësi të tipit të realizmit socialist. Kanceri nuk është veçse lufta e paskrupullt e disa qelizave që synojnë të bëhen të pavdekshme, thotë diku shkencëtari frëng Dominique Stehelin, dhe saktëson: „Mund të arrihet në qeliza që ushqehen e rriten nga vetvetja, pa pasur nevojë për qelizat përreth; një qelizë e tillë mund të shtohet vetë, pa kufij. Kemi në laboratorët tanë një tufë tumoresh që ia çojnë për mrekulli, shtohen e shumohen edhe pse janë shkulur nga organizma që kanë vdekur shumë vite më parë”. Se vërtet letërsia e mirëfilltë është një çështje-jetë krejt vetjake, mirpo qarkullimi i natyrshëm i kumteve të saj ka nevojë gjithmonë për mbështetjen e bashkësisë artistike.

- Pse ekziston rreziku i mitizimit të kësaj letërsie? Në perëndim të Evropës cili është interesi për këtë letërsi sot? Pra, cili është fati i saj?

Edhe tani, pas kaq historie të shkruar apo jo, të metaforizuar, ose të zbërthyer me ndihmën e Metaforës, mes nesh dhe Perëndimit qëndron jo sasia, por cilësia e Vuajtjes. Kjo nënkupton mosnjohje të saktë, heraherës përçmim të fshehur nën shkëlqime buzëqeshjesh zyrtare, mirësjellje të frikshme nga ajo e burokracisë, ose vlerësime që, ose janë qesharake, ose fyese, ose që ngrihen mbi synime të ulëta, ose të gjitha bashkë. Në fundin e këtij qytetërimi që quhet edhe I Fajësimit, ata që janë më të fortë nga ana ekonomike, ngulmojnë të marrin pjesën e luanit në fitime dhe të miut në gabime… Kudo ndihet një mpirje, për të mos thënë tmerr, ndaj Vuajtjes, ndaj sjelljes së saj në qendër të kujtesës e të bisedave. Është një arrati a shumanshme drejt të sipërfaqshmes, kalimtares dhe nënnjerëzores. Dhe ka një trymbetim të vlerave të dyshimta letrare që gëlojnë në Ballkan dhe të cilat i shërbejnë me përkushtim, paradoksalisht, shpirtërimit të kapitur të kontinentit. Sipas planeve pragmatiste, me kohë, vlerat e vërteta do të lodhen, do të zvjerdhen nga pafuqia e përditshme e idealizmit dhe poezisë, do ta ulin çmimin e vet dhe, në ardhtë çasti kur një hapësire kulturore t’i nevojitet për jetë a vdekje gjak i ri, si dikur Partisë, ai do të blihet më lirë se gjaku i vjetëruar, në mos po do merret falas.

(Pogradec-Bukuresht, gusht/shtator 2011)
Pjesë të kësaj bisede u botuan edhe në Gazetën Shekulli, Tiranë, 8 shtator 2011