Në vend të shumësit
[Hormoni kundër neuronit. Mërgim i krahasuar. Padija e lexuesit mesatar si përpjekje e kaosit për të fituar mëvetësi midis botës zanafillore dhe asaj virtuale. Gjuha – shtëpi e qënies, por sidomos qënia – shtëpi e Gjuhës. Jemi si e sa flasim. E tashmja përreth letërsisë dhe e Tashmja e Letërsisë. Globalizimit i vijnë në ndihmë edhe ata që e dënojnë, edhe ata që e çmojnë. Atlase, letërnjoftime, letër. Lindja si trajtë e zgjeruar kulturore e hapësirës ballkanike; Perëndimi si trajtë e ngushtuar politike e Evropës së Përhershme. Tematika e kohës; koha e stilit. Dy kultura – në pabarazi të përhershme. Recensere in-humanum est. Vuajtja që pranon gjithçka dhe vuajtja që të pranon. Tri rënie të letërsisë. Kujtesa dhe „një thërrime jete pa tmerre”. Mirëqënia biologjike si përmasë e anonimatit. Mes kritereve, lexuesit dhe tjetërsimeve. Vlerat, çmimet, Çmimi. Struktura: kristal dhe piramidë, ose shkencë në letërsi dhe anasjelltas. Shkenca u kushtohet pritjeve të shumicës, por bëhet nga një pakicë. Metafora – mjet thelbësor në hulumtimin e letërsisë. Nga “kafsha politike” tek “kafsha që metaforizon”.]
Një ngjarje në pamje të parë vetëm qesharake dhe absurde, vështirë për t’u
besuar gjer edhe në tepri poezie a metafore, më shtyu të shkruaj togfjalëshin
"Mërgim i krahasuar". Degë
e mundshme e imagologjisë dhe e semiotikës, në kushtet e sotme, ajo mund të
ketë një të ardhme të veçantë, pra t'i vlejë më fort së kaluarës, sesa të
tashmes. Pasi bleu njërin nga librat e mi digjitalë në shqip, një e re që, -
sipas të dhënave të CV-së, - nuk di veçse anglishten, mbase e formuar të besojë
se në këtë planet ekziston vetëm një gjuhë, u mundua të ma lexonte librin dhe
arriti në përfundimin se autori shkruan
në një anglishte tmerrësisht të varfër dhe se libri është më i keqi i mundshëm, një ”catastrophic disaster”.
Është e vërtetë se lexuesit e këtyre dhjetëvjetshave kanë një padijë që nuk
përtypet dot as edhe nga letërsia apo anekdotikja, aq sa nuk mungojnë rastet
kur autori pyet veten se: Cili prej nesh është pjellë kot dhe / ose: Cili prej nesh nuk është lindur ende?!
Lexuesit që ngatërrojnë të drejtën e lindur të të qënit gjallë (apo shtetas i
Fshatit Global) me vuajtjen e të qënit i kulturuar, gjithmonë më sjellin
ndërmend atë grup të rinjsh, - po nga një libër i shkruar në shqip dhe i lexuar
në nuk e di ç'gjuhë, - të cilët habiteshin: "Po ne kaçavida kemi – pse s'mund të zbërthejmë dot ca metafora?!"
Tragjizmi i gjendjes besoj se bën pluhur çdo kënaqësi, gjer edhe tek autorët
fillestarë, dhe shfuqizon çdo eufemizëm**. E vërteta e hidhur na kumton, përtej
çdo metafore, se turma të pafundme shtetasish-lexues, të bindur se ndodhen diku-dikur, nuk kuptojnë se
tashmë janë gëlltitur nga një hapësirë që mund të emërtohet Syrgjyn në vitualitet"***. Nga ky këndvështrim,
virtualiteti është njëfarë truall lindës (si-atdhe), por edhe pritës (si-Tokë e
Premtuar), ose kështjellë fildishi e të paditurve dhe, si çdo njësi që synon të
shkëputet sa më tepër nga zanafilla, për të dëshmuar mëvetësinë dhe për të
siguruar liri e pushtet të pamundshëm, madje të paqënë, e sulmon me të gjitha mënyrat
botën nga e cila rrjedh. Virtualiteti përfaqëson edhe kopjen e Kujtesës së
Përbashkët (e emërtuar edhe Akasha
etj) – njëfarë arkivi, ose shumë dosjesh vetjake që kontrollohet nga njerëzit
dhe tek e cila mund të hyhet e të veprohet (editohet)
përmes kompjuterit (makinës), jo përmes përsiatjes apo lutjes.
Paradoksi vendimtar për fatin e kësaj beteje ngrihet mbi mjetet që përdorin të dyja palët. Virtualiteti, si krijim i krijesës, është një metaforë që zgjedh e përdor mjete kryekëput pragmatike, ndërsa bota zanafillore, si krijim i Krijuesit, e mëshiron virtualitetin deri në zhdukje, ose deri në ringjallje (kthim nga syrgjyni) mbi të tjera shenja, përmes energjive të pakrijuara. Në zgripin ku të dyja këto botë njësohen e ndahen në një barazi të frikshme, qëndrojnë metafora dhe gjuha.
(…)
Gjatë shekullit të kaluar letërsia pati tri rënie që hëpërhë duken
vdekjeprurëse, pavarësisht se çdo rënie në letërsi ndan grurin nga egjra, sado
e hidhur qoftë kjo ndarje për disa autorë. Nëse do të përdornim si metaforë të
jetës sahatin, mund të themi se letërsia fillimisht ishte pjesë e brendshme e
të tre akrepave dhe ndikonte drejtpërdrejt mbi botëkuptimin e lexuesit. Ajo
përballonte me sekonda të përditshmen, ngjizte me minuta të tashmen dhe
ravijëzonte me orë të ardhmen. Tragjeditë që dalin përtej çdo metafore dhe që
faktikisht shkatërrojnë çdo metaforë të mundshme, - duke e zëvendësuar me
statistika, - e dëbuan letërsinë nga akrepi i sekondave, më pas: nga ai i
minutave dhe së fundi: nga akrepi që shënjon orët. Duke synuar në radhë të parë
mirëqënien biologjike, koha doli jashtë letërsisë dhe letërsia u përjashtua nga
koha, mirpo letërsia ka gjithmonë një kohë të vetën, teksa një kohë pa letërsi
nuk mund t’i nënshtrohet e t’i shërbejë veçse fikjes së shpirtit. Në frymë
popullore, mund të thuhet se koha që
dëbon letërsinë, punon vetëm për biologjinë. Ritmi i kësaj kohe nuk
mbështetet më në ritmin e frymëmarrjes, apo të zemrës, por vetëm në numurim dhe
në mungesën e jehonës që ka mishi, lënda – dhe mishi, po ta shohim nesër dhe jo
sot, dëshmon se vlen më fort për shthurje e top, se sa për ngjallje nga
vetvetja. Për këtë arsye, shumica dërrmuese e ngjarjeve të sotme, qofshin ato
lokale, apo globale, paraqiten në një trajtë të caktuar, - që duket më e sakta,
në mos po e vetmja, - por shtjellohen në bazë shkaqesh krejt të tjera dhe synojnë
gjëra krejt të ndryshme, pavarësisht nga përfundimet. Duke shmangur letërsinë,
shpjegimi i ngjarjeve u mbeti historisë dhe politologjisë, të cilat nuk janë
shkenca as shteruese e as të pavarura. Koha pa letërsi e përfshiu letërsinë
dhunshëm në njësitë e matjes, peshimit, çmimeve, shitblerjeve dhe vlerësimeve
sipas kriteresh që s’kanë asnjë lidhje, ose kanë vetëm lidhje të shtirura me
artin. Parimi sipas të cilit libri më i shitur është edhe më i vlefshmi, më
jetëgjati dhe meriton çdo lëvdatë, në më pak se tridhjetë vjet nxori në pah se
pak gjëra janë më shkatërrimtare dhe groteske se sa poezia që përdor tregu. Me një shkathtësi të skëterrshme dhe
me pamje shpëtimtareje, pseudo-poezia që shet e ble gëlltiti pushtetin e
natyrshëm artistik dhe e ngujoi letërsinë që nuk shitet brenda hapësirash-oaze,
gjithnjë e më të ngushta, duke munxosur njëherazi të ashtuquajturin elitizëm, i
cili, në kushtet e sotme, eshte vetmi e tmerrshme dhe ftesë plot dhembje ndaj
njerëzish që vërtet nuk mbijetojnë dot pa fjalën e zgjedhur dhe pa librin si
tempull ku shpirti nuk shpëtohet, por ku mund të pastrohet e përsoset sadopak.
Poezia e errët e tregut shton pandijshëm padijën, krenarinë e sëmurë të
lexuesit, vetëmitizimin e autorëve të paftuar, por që zenë kryet e sofrës, pa
ditur se këtu është fjala për nje arenë të përgjakshme, jo për sofër. Padija e
mësipërme afroi më tepër nga sa duhet kujtesën politike me atë artistike (duke
shfajësuar me harrim të shkallëzuar dëmet e mjaft autorëve, njëlloj si të
politikanëve që dalin nga skena), prishi shijen e shumicës së lexuesve, (në
Lindjen gati të vdekur ish-komuniste kjo u krye më shpejt, për shkak të
realizmit-socalist dhe sidomos të degëzimeve e trajtave që ai mori tek rropatej
të mos dilte nga vetëdija), dhe solli në pushtet një rrjet paradoksesh të
tipit:
a. Lufta demografike mes kombesh, racash e ideologjish shtojnë varfërinë,
mirpo librat mund të shpërndahen në nivel ndërplanetar për disa minuta;
b. Njëkohësisht, analfabetizimi dhe marrja me lehtësi e diplomave
universitare i bindin të gjithë ata që dinë shkrim e këndim se kanë diçka
madhore për të thënë dhe se ajo që thonë u dëgjohet me përkushtim. Kur nuk ua
var njeri, ngulmojnë se po përfyten me sistemin dhe ndihen edhe më elitarë,
lindur për t’u kuptuar më vonë. Kjo më
vonë mbetet e pashëndetshme, sepse për mediokritetin është vonë qysh në
fillesa (mediokriteti jo si mungesë dhuntish, por si përdorim i gabuar i tyre);
c. Teksa shtresa të gjëra popullatash vdesin urie, ose nëpër luftra,
shkrimet dhe botimet e librave kanë kapur shifra marramendëse dhe, në shumicën
dërrmuese të rasteve, sasia e tyre cënon e edhe prish cilësinë e librave që kuptohen tani, por vlerësohen më vonë.
Nga njëra anë letërsia është e pafuqishme, madje duket cinike mes kaq vuajtjesh
ndërplanetare – nga ana tjetër përhapet si kurrë më parë.
Gjer edhe vetëm kaq të dhëna do të mjaftonin për t’i dhënë të drejtë metaforës me kohën pa letërsi: edhe gjenitë, edhe dështakët takohen në atë ‚më vonë‘, ndonëse për shkaqe e me të ardhme kryekëput të ndryshme.
__________
* Fjalë e krijuar nga
autori dhe që nënkupton hartimin e një kanuni (canon) kushtuar e mbështetur në
thelbet cilësore e veçanësuese të letërsisë / letërsive që shkruhen në Ballkan.
** Në përputhje me të
drejtat e njeriut dhe me rregullat e mirëkuptimit ndërnjerëzor, Humbësi duhet quajtur Fitimtari
i fundit, Dështaku – Ngadhnjimtar i së ardhmes, I padituri – Nxënës me ritëm të ngadaltë,
I shëndoshi – I zhvilluar njëtrajtshëm,
Shkurtabiqi – I zhvilluar anash etj.
Lexuesja për të cilën planeti ka vetëm një gjuhë duhet përkufizuar si Specialiste në gjuhën amtare.
*** Prof.univ.dr. Ardian Kyçyku: Imunitet në diversitet, Revista 9 Maj – Ziua Europei (Dita e Evropës) Nr. 6 / VI / 2016, Bukuresht.
Shënim: Copëzat janë shkëputur nga Trialog
(Librarium Haemus, Bukuresht 2016)
Letersi
Paralele / Parallel
Literature