Koha e mëkëmbësve (Vremea locţiitorilor)



Shtëpia botuese „Humanitas”, njëra nga më të mëdhatë e më prestigjiozet në Rumani, botoi në koleksionin „Kujtime / Ditare / Bashkëbisedime”, - që u është rezervuar personaliteteve të shquara botërore, mes të cilëve Aleksandër Sollzhenicin, Imre Kertesh, Vladimir Bukovski - librin: „Ardian-Christian Kuciuk: Vremea locțiitorilor - un dialog cu Iolanda Malamen despre spiritualitatea albaneză” (Ardian-Christian Kyçyku: Koha e zëvendësve / mëkëmbësve - një dialog me Jolanda Malamenin për shpirtërimin shqiptar), në 144 faqet e të cilit shkrimtari shqiptar që shkruan edhe në rumanisht u përgjigjet një numuri të madh pyetjesh lidhur me shpirtërimin shqiptar dhe letërsinë evropiane e më gjerë.

Në hyrje dhe në mbulesën e pasme të librit, botuesi, në paraqitjen që i bën autorit para lexuesve, ndër të tjera, thekson: „Ardian-Christian Kyçyku ka dy atdhe letrarë, që i glorifikon në gjithçka shkruan... I ardhur nga një trevë që pasqyrohet në Ohrin mitik, dhe nga një shtypje ideologjike e egër e gjymtuese, historia e prozës së tij është, në fakt, ngadhnjimi i një talenti gjigant... Përse „shpirtërimi shqiptar”? Për shumë arsye. Sepse kemi të bëjmë me një shkrimtar të jashtëzakonshëm. Sepse Shqipëria me vetëm 29.000 km2 i ka dhënë botës vlera të pakontestueshme. Sepse për pesëdhjetë vjet me radhë nuk u mor vesh thuajse asgjë për të, megjithse ndodhet në hartën e Evropës e të Ballkanit. Sepse nuk u gjunjëzua dhe luftoi për të mbijetuar shpirtërisht. Mirse ke ardhur në letërsinë rumune, Ardian-Christian Kyçyku!”

Në këtë vepër të re në rumanisht, Ardian Kyçyku himnizon, në radhë të parë, botën e mirëfilltë shqiptare, vlerat shpirtërore e qytetëruese të kombit shqiptar, historinë, qëndresën intelektuale e artistike gjatë terrorit të shumëfishtë, sajuar e mbështetur nga forca të caktuara politike. 

Pyetjes nëse e ndjen veten minoritar, Ardian Kyçyku i përgjigjet: „Pa asnjë mëdyshje. Unë jam minoritar jo në katror, por në kub. Dhe këtu s’bëhet fjalë për të nxjerrë ndonjë gjë në ankand. Jam minoritar si shqiptar që ndodhet në dhé të huaj. Jam minoritar si shkrimtar, në kuptimin e profesionit, në këto kohëra kaq antiartistike. Jam minoritar si shkrimtar jokomod, jokonformist dhe i përkushtuar shkrimit. Të mos harrojmë se shumë herë të jesh në minoritet, do të thotë të jesh në origjinalitet”.

Pyetjes: „... shkruan në të dyja gjuhët dhe nuk ke hequr dorë nga shqipja... Çfarë përfaqëson për ty gjuha shqipe?”, Ardian Kyçyku i përgjigjet: „Gjuha shqipe është për mua një tempull i padukshëm, i pashkatërrueshëm. Me të mund të njohësh më shumë nga sa mund të thuash. Me të, madje, nuk duhet të thuash aq sa mund të dish. Dhe jam i bindur - hollësitë janë të tepërta - që, në një botë tjetër, gjuha shqipe nuk është gjuhë me qarkullim të kufizuar”.

Më tej, Ardian Kyçyku thekson: „Në njëfarë mënyre, asnjëherë nuk jemi larguar nga Shqipëria jonë, nga ku asnjë dëshpërim s’mund të na shkulte, sepse ishim stërvitur tashmë për një kohë të gjatë me dëshpërimin... Në fund të fundit, atdheu ynë është gjuha shqipe, ndërsa ardhja në Rumani nuk përfaqëson ndonjë mërgim në kuptimin klasik të fjalës...”.
(Nga Shtypi shqip, 2003)

Fragment


Jolanda Malamen: Fole për familjen tënde, për prejardhjen, për zbulimin e shkrimit në një familje në të cilën lexohej dhe tregohej shumë. Yt atë është një intelektual që u përfshi në politikë. Madje në politikën e atyre vitesh skëterre.


Ardian-Christian Kyçyku: Sistemi zbatohej në mënyrë të atillë që, po të ishe i aftë të bëje diçka dhe dëshiroje të afirmoheshe, viheshe menjëherë përballë dilemës: ose hyn në valle, ose pranon të marrësh fund. Në anonimàt ose në burg. Im atë ka qënë, pa pikë dyshimi, një nga fëmijët me dhunti të shumta të Shqipërisë. E kam tepër të vështirë të flas për të, sepse, përtej çdo mitologjie familjare, ai është njeriu më interesant, më i paparashikueshëm që kam njohur gjer më sot. Ka pasur një jetë jashtëzakonisht të dendur; ka jetuar, në mund të thuhet, sa tre njerëz sëbashku. Kur ishte 23 vjeç, pa qënë antar partie, u zgjodh deputet. Ishte i zgjedhuri më i ri i vendit dhe antar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të asja kohe. Dinte sakaq në mënyrë të përkryer disa gjuhë. Të huajt, me të cilët takohej, vazhdimisht e pyesnin në ç’zonë të Italisë, të Francës, të Turqisë, të Rusisë etj, ishte lindur. U detyrua të bëhej antar partie. Gjatë stazhit përgatitor, tek punonte në një nga minierat e rrethit të Pogradecit, u aksidentua në një punim të thellë dhe askush nuk mund ta shpjegojë se si nuk vdiq. Studioi për gjeologji, letërsi dhe histori. Ka pasur funksione të rëndësishme në organet e pushtetit vendor. Ka punuar në Televizionin Shqiptar, në Ministrinë e Jashtme, në Akademinë e Shkencave dhe ka dhënë mësim në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Është mjaft e mundimshme kjo rrugë e tij nëpër labirinthin e jetës shqiptare të asaj kohe.
Besoj se dorëheqja nga politika e përditshme në rastin e tim eti ndodhi gradualisht nga të dyja palët: nga zhgënjimi i tij i shpejtë dhe nga „përkujdesja” e atyre që kishin pushtetin. U përpoqën ta shkatërronin me të gjitha mënyrat, sistematikisht, në të gjitha çastet e jetës që kaloi atje. Ka qënë vazhdimisht i rrethuar nga një shtresë mbytëse smire. Më 1978, pas pjesëmarrjes në një veprimtari kulturore ndërkombëtare, në heshtje, iu ndaluan të gjitha udhëtimet jashtë shtetit.  Është rrënqethëse kur sheh se si u terrorizua nga ana psikike papërjashtim prej të gjithë dështakëve dhe të shiturve e atyre kohërave. Në televizion nuk mund ta duronin më, sepse i bënte emisionet drejtpërdrejt dhe fliste pa letër. Në Ministrinë e Jashtme dinte gjuhë të huaja më shumë se ç’duhej dhe kishte një forcë tërheqëse të veçantë, duke i habitur perëndimorët, të cilëve nuk u besohej se një vend aq i ngurtë është në gjendje të lindë edhe njerëz të tillë. Në Akademinë e Shkencave nuk e honepsnin për të gjitha këto shkaqe të marra sëbashku.
Për tre dhjetëvjetsha, im atë ka qënë një Homo Suspendatus, kurse fakti që e mbartnin nga njëri segment i shoqërisë në tjetrin, ishte dëshmi se nuk dinin ku mund ta mbikëqyrnin më mirë. Dhe nuk i kërcënonte përveçse me faktin që është ai që është. Nga të gjitha vendet e mundshme të punës, më i sigurti mbetej burgu, dera e të cilit, sikurse thuhej me cinizëm, ishte vazhdimisht e hapur. Shtëpia jonë në Tiranë, ku kemi diskutuar vite me radhë për gjithçka, pa pasur frikë nga mikrofonët apo nga muret me veshë, ka qënë njëherazi një shtëpi e ankthit dhe e lartimit shpirtëror të përditshëm. Nuk kish mbrëmje kur të mos na shkonte në mendje që mund të arrestohej ai dhe, më vonë, edhe unë bashkë me të. Prandaj, ndofta, në një moment të dhënë, ajo shtëpi e ëmbël nuk u banua më nga askush. Por nuk habitem që im atë nuk u arrestua, edhe pse nuk bëri kompromise. Nuk mund të shkatërrohet ai që nuk është zgjedhur të shkatërrohet.
Ka shkruar pa masë, ka punuar si pak të tjerë dhe është njëri nga disa prej intelektualëve të atëhershëm që nuk shpreh keqardhje për kohën e harxhuar, sepse nuk e ka shkuar kot. Në kushte ankthi shkroi mbi njëzet libra, - ndër të cilat dy vëllime me fabula përcëlluese, - monografitë Mustafa Qemal Ataturku, Kryengritja e Ilindenit, Vështrim historik mbi marrëdhëniet shqiptaro-rumun, Historia e Turqisë moderne dhe, më vonë, Arumunët e Shqipërisë në kontekst ballkanik dhe Historia e Shqipërisë. Në kushte të atilla përktheu Jetën e Emineskut të Xhorxhe Këlineskut, Jetën e Nikolae Tituleskut të Vasile Neteas, pjesë të rëndësishme nga Nikita Stënesku, Ana Blandiana, Marin Soresku dhe nga shumë autorë të tjerë rumunë, francezë, italianë, anglezë, turq, rusë, maqedonas... Kjo punë mes letrash besoj se tërheq mbi njeriun një mbështetje metafizike të veçantë. Sikur të mbron një çetë e tërë ëngjëjsh. E ka ndihmuar edhe përkushtimi, të paktën shembullor, ndaj familjes. Në një moment të dhënë e kuptoi se, në rrethana si ato, nuk mund të kesh ndonjë mik krejt të besës. I vetmi mik i tij, - i garantuar nga gjaku i përbashkët, - kam qënë unë dhe i vetmi mik i imi ka mbetur ai.
Filloi të merrej me mua tepër i matur, pa më rënë fare në sy, pa më thënë asgjë. Shkonim kudo bashkë, si dy vëllezër siamezë të çuditshëm, lindur afro tridhjetë vjet njëri pas tjetrit. Në sajë të tij, munda të njihja, qysh në mituri, të gjitha mjediset e shoqërisë shqiptare: Lidhja e Shkrimtarëve, - me mbledhjet, kremtimet pa pikë shpirti e me thashethemet përkatëse; Ministria e Jashtme - me shkëlqimin e perënduar të papagajve në pushtet; Klubi i Ministrisë së Brendshme, ku mblidheshin çdo mbrëmje të gjitha bishat, por edhe mbështetësit mjeranë të shkatërrimit tonë, dhe ku im atë duhej të takonte ish-veteranët, pra "lëndën e parë" për emisionet kushtuar Luftës Nacional-Çlirimtare (rubrika "Ngjarje dhe data"); zyrat e Akademisë së Shkencave, ku shumica e krerëve nuk patën shkruar asnjëherë ndonjë libër dhe që dukej sikur kishin hedhur rrënjë në kolltukë qysh para se të shpikej Libri; mjediset e televizionit e të radios, vërtet magjepsëse. Falë tij, kam njohur personalisht shumicën e intelektualëve me peshë të Shqipërisë... Është fat i madh të kesh një prind të tillë.

J. M.: Si bir (i privilegjuar në një farë mënyre), si e konceptoje politikën e babait?

A.-Ch. K.: I privilegjuar, po qe se mbajmë parasysh privacionet dhe ankthet që nuk donin t’ia dinin për moshë, hapësirë dhe kohë. Nëpër këto kanë kaluar të gjithë fëmijët e njerëzve që patën besuar në fillim me gjithë shpirt në idealet komuniste. Ishte madje një parrullë asikohe: „Të jemi të parët në sakrifica dhe të fundit në pretendime”. Ishim të privilegjuar si artistë potencialë. Im atë ia ka dalë mbanë në mënyrë të përsosur: për asnjë çast, - po vërtet për asnjë çast të vetëm!, - nuk ka qënë nëpunësi i një qeverie të caktuar, në një kohë të caktuar. Një nuhatje e mrekullueshme i vinte në ndihmë që të mos dukej i mefshtë apo protokollar në praninë time, madje as kur na rrethonte ndojë publik i rrezikshëm, si, bie fjala, kolegët e tij. Me kalimin e kohës, u bë mjeshtër i vërtetë i sugjerimeve, larg manipulimit të njohur prindëror, dhe nuk lamë të na dalë duarsh asnjë debat, asnjë fërkim a grindje, derisa gjenim gjuhën e përbashkët. Për gjithçka. Nga ana tjetër, ndryshimi ndërmjet tij dhe kolegëve apo shefave që kish, - shumica mjaft modestë nga pikëpamja intelektuale dhe shpirtërore, - ishte aq i qartë, nganjëherë i ashpër, saqë nuk shtrohej fare çështja që ta ndaj midis një funksionari, të cilin duhej ta toleroja sepse e kisha baba, dhe një babai, të cilin gjithashtu duhej ta toleroja sepse ishte i detyruar të punonte diku, që të na ushqente. Lidhja jonë me besë është bërë, besoj, para se të lindesha: ai ka qënë dhe do të mbetet vetëm Babai Im, ndërsa unë: vetëm djali i tij i madh, qoftë në parajsë, qoftë në purgator apo në ferr.

Fragment nga libri-intervistë "Koha e mëkëmbësve", 
Sh. B. Humanitas, Bukuresht 2003