Photo: Gentian Kyçyku, Exile, 2010 |
Të përshëndes, mik i shtrenjtë, dhe flm për tag. Jam ulur në një bar të famshëm, ku kanë ndenjur viganë të
artit, dhe po e ngre një gotë për ne, për dhembjet e kurbetit dhe për vendin
tonë të mjerë, që ende ka mbetur peng i horrave. Gëzuar. Paçim fat e mbarësi,
nga ky bar ku është frymëzuar Van Gogu, Shagali, Pikasoja, Maneja, Moneja,
Hemigueji, Ficxheraldi, Bunjueli, Dalìa e
të tjerë. Nuk e di cili prej tyre ka bërë gëzuar nga karrikja
ku unë po të bëj gëzuar. Po mbase të gjithë janë ulur nga të paktën një herë në
këtë karrike. Se në këtë bar, i dashur mik, asnjë karrike nuk është e lirë për
nga lavdia.
Përshëndetje,
mik i vyer, edhe prej meje. Po e trokas gotën me ty, nga larg, jam ulur në një
bar ku tuboheshin çdo mbrëmje Dantja, Petrarka, Ticiani, Rafaeli,
Mikelanxheloja, e më vonë Ungareti, Pazolini, Felini, Antonioni, Montalja, Kuazimodoja e plot të tjerë.
Kuptohet, në kohë të ndryshme, se këtu kohët bëhen lëmsh, por disa tuboheshin
në të njëjtën epokë. Më kish zënë malli për një gotë si qëmoti. Kamarieri thotë
se edhe Da Vinçi hante këtu ndonjëherë. Gëzuar, mik, paçim shëndet e pare, se
pa ato të shkreta kushedi në ç’strofull minjsh do të përpëliteshim tani.
Pranoni
një gëzuar edhe nga unë, të dashur miq.
Jam ulur në një han të moçëm, ku e kish për zemër të hante
Servantesi. Po, po, në kohën kur ende i kishte të dyja duart, por edhe pasi
mbajti burg si burrat në Ulqin. Në murin pranë meje, bash mbi kokën time, në
vend të atyre brirëve a krerëve të balsamosur, kanë vendosur plot sqimë njërën
nga duart e mjeshtrit të madh, babait të Don Kishotit. Gëzuar. Më duket
se është dora e prerë,
ajo me çengel në vend të pëllëmbës, por jetojmë në botën e metaforave. Edhe
Lope de Vega, thonë, bujtte këtu heraherës. Edhe Lorka i madh…
Gëzuar,
u ndezën llampadarët në rrugicën anës barit, janë ndezur edhe qirinjtë brenda
në katedrale. Këtu, në këtë
orë, thonë, i vinte frymëzimi secilit prej tyre. Bodleri, Rëmboja, Malarmeja, Prusti, Gertrude
Shtajni, Ezra Paundi, se mos i harrova… mbusheshin me metafora në këtë kafene.
Ndoshta e shkel ndopak, të dashur miq, ama sikur nuk kanë të njëjtën magji
vendet ku kanë ndenjur artistë që ende janë gjallë. Se, meqë ra fjala, në këtë
barin ku pi përnatë, kanë pirë nga një teke edhe Markezi, Kundera, Rothi… e
plot të tjerë që nuk kanë vdekur. Se kur robi është gjallë, s’para ka shije, si
me thënë, edhe në qoftë më i madhi i të mëdhenjve.
Gëzuar, Bari i Gjenive i
thotë njerëzia këtij barit tim. Sa për të gjallët që përmende, mjafton të kthej
kokën, në çdo drejtim, gjer edhe qorrazi, dhe ndesh të paktën njërin syresh. Shpesh hijet e tyre, të padukshme
për vendasit, janë më
të kapshme se sa vetë vendasit për
mua… E keni parasysh: të gjithë bëjmë sikur nuk e njohim shoshoqin, sikur nuk
na bën përshtypje që në këtë bar mblidhet ajka e qytetërimit evropian e më
gjerë. Por në fakt, shumica e këtyre bashkëkohësve as që janë gjallë. Këta
vetëm gjallojnë, ose mbijetojnë. Rrinë si glasat mbi një pllajë floriri dhe s’e
kanë haberin me ç’thesare i ka lumnuar Zoti. Po nejse, punë e tyre! Gëzuar! Ta pimë me fund. Ku
guxonim ne të ëndërronim se një mbrëmje do pinim në bare të tillë! Kurse tani bëjmë muhabet
e pimë online sikur me
qenë ke klubi i lagjes…