Nënat varrosen para kohe


Para se të jepte shpirt, nëna lëngoi tre vjet. Dy vjet të rëndomtë dhe një i brishtë. Pra: nëna jetoi një ditë më shumë. Nuk dha shpirt mes dhimbjesh të pazakonta, sepse dhimbjet ia kishin marrë shpirtin ditë për ditë e natë për natë, atje në dhomën ku e vendosën që të kishte sa më shumë paqe e ku zukamat helmuese të kësaj bote mezi mbërrinin. Për tre vjet me radhë, pat vuajtur aq sa e bija dhe i biri po betoheshin që shpirti nuk qënkej veçse njëfarë bombe ku strukeshin qysh në lindje thërrmijat e dhimbjes. Thërrmijat e mbrame u bënë pluhur të dielën në drekë. Nëna ndërroi jetë, ulëriu e bija. Nëna nuk mund të vdiste. Ajo vetëm kish ndërruar jetë. Erdhi me shpejtësi doktori i lagjes, erdhi prifti dhe arritën të dy në përfundimin se e ndjera ishte tashmë e ndjerë. U fanitën ca kushërira të largëta të nënës, ca ish shoqe pune, ca fqinje gjysmë të verbëra e të kërrusura, me sapunë e peshqirë në duar, dhe e lanë dhe e fshinë murgën nënë që ishte dobësuar e ngjante me një foshnjë.

Pjesa tjetër është bërë dhe po bëhet libra...



Adnan Mehmeti: Zoti Kyçyku, çfarë jua zgjodhi Rumaninë për të jetuar: situata politike, ajo ekonomike, apo dëshira për të jetuar në këtë vend mik, ku historia e letërsisë dhe gjuhës shqipe është e lidhur ngushtë që nga Rilindja jonë Kombëtare. Çka do të veçonit për lexuesit tanë*?

A.-Ch. Kyçyku: Njëlloj sikur të jetë binjak me foljet e shqipes, secili prej nesh përjeton kohëra nga më të beftat. Ishim të zgjedhur që kapëm rënien de jure të komunizmit, ndërrimin e shekujve dhe të mijëvjetshave, një kometë të famshme etj. Në fund të viteve ’90, për shembull, u dynd mbi ne një kohë kur atdheu s’të mbante, kurse krejt pjesa tjetër e botës të shpëtonte. Gjërat duhen parë me sytë e atëhershëm, përndryshe do të binim në poezi të sëmurë. Shumë pak vetë e dinin se shkruaja, ndonëse pata dorëzuar qysh në 1988-ën dy vëllime në prozë (pesë romane) në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Librat nuk dolën, sepse “u mbarua letra”. Por jo vetëm letra mungonte. Kjo nisi të zhdukej ndoshta ngaqë ne s’kishim ç’jetë të vilnim për të shkruar. Më caktuan mësues në një fshat të thellë malor. Synoja të tërhiqesha në Pogradec, pó si mësues, dhe të mund t’u kushtohesha shkrimeve. Si shumë të rinj të tjerë, nuk kisha jetë as brenda e as jashtë kufijve. Qe njëfarë pezullie. Prandaj mërgimi fillon si një vdekje e shartuar me pó aq lindje. Fitova një bursë studimesh për doktoratë në Bukuresht dhe as vetë s’e mora vesh si u gjenda jashtë. Pasuan shtatë muaj me nga një, ose dy orë gjumë në ditënatë. M’u desh t’i humbja të gjitha e ta merrja jetën e kahershme, të fëminisë, besoj, nga e para. Bukureshti i asaj kohe ishte magjiplotë, kurse unë – mëse i varfër, por edhe i lirë sa s’më vinte ta besoja. Në fakt, isha gjendur dhe mund të endesha parreshtur në një Bukuresht ëndërror, të thurrur me përfytyrime nga jeta që pat kaluar aty im atë në fillim të viteve ’60. Ishin të gjalla për mua edhe hijet plot dritë të Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit, Asdrenit, Viktor Eftimiut, Vangjel Zhapës etj. Gjatë shtatë muajve të parë të mërgimit, mund të them se njeriu brenda meje provoi tmerre të panumurta, por në radhë të parë takoi Zotin – e vetëm kjo ka vlerë. Pjesa tjetër është bërë dhe po bëhet libra. S’kisha dashur kurrsesi të ikja nga Shqipëria, mirpo ngjarjet nuk rodhën ndryshe. Ika si të isha anonim, pra s’mund të ndihem i dëbuar, dhe nuk i mungoj Shqipërisë falë pjesë sime të dukshme, librave.

Opusi Juaj letrar është i pasur dhe i larmishëm në gjini të ndryshme. Në rrafshin gjeografik, jeni botuar në Shqipëri, Kosovë dhe Rumani. Në rrafshin gjuhësor, jeni botuar në disa gjuhë. Në rrafshin tematik, përveç si shkrimtar, jeni edhe përkthyes, gjuhëtar, poet, publicist, editor… Si do ta shkruani një CV letrare?

A.-Ch. Kyçyku: Për mua gjërat janë mëse të thjeshta: “Nisi të shkruante për të mbijetuar, ose kështu iu duk, dhe vazhdon të mbijetojë pothuajse vetëm për të shkruarën”. Jo pak gjëra në fusha të tjera, - me përjashtim të teologjisë dhe të Revistës Haemus, - i kam bërë vetëm kur e kam pasur të pamundur t’i shmang. Në raste të tilla veç, i kam kryer sikur të më ishin caktuar vetëm mua.

Sikur bota të mungonte…



Lasgush Poradecit
në 20-vjetorin e Kthimit
Bukuresht
, 12 nëntor 2007

Gjuha amtare e poetit ka një qarkullim aq të ngushtë, saqë jo pak vetë e pandehin dhe e shpallin të vdekur, ndërsa ajo i mban peng shumë nga bijtë e saj viganë, duke mbetur vetëm e lashtë dhe “e pamëshirshme” si vetë Përkryerja. Sa më mirë ta shkruash, aq më gjatë do të qëndrosh i mbyllur në të. Kjo gjuhë i ngjan një nëne e cila parapëlqen ta mbajë foshnjën në bark, që të mos ia shqyejë bota.


Varrosja për së vdekuri



Varrimi i Poradecit u zhvillua në më të rëndomtin mjedis plot gafa e situata të pakëndshme, tipike në të gjithë regjimet ku vrasja dhe shkatërrimi zenë vendin e vdekjes natyrore, derisa arrijnë ta shndrrojnë këtë të fundit gati në një vepër arti. Telefonatat u lidhën zinxhir gjatë gjithë ditës e natës: zyrtarët shqiptarë nuk vendosnin dot nëse Poradeci duhej varrosur me qivur ngjyrë blu, - si të gjithë njerëzit tanë dhe intelektualët e riedukuar, - apo me qivur të kuq: privilegj i luftëtarëve për ngadhnjimin e komunizmit. Pa qënë i vetmi paradoks i kësaj jete, e kuqja (që synohej njëheresh nga dashuria, e cila pat humbur një nga Kalorësit e saj më të hijshëm) dhe nga komunizmi (që mund të fitonte, në ditën e vdekjes, një idhtar, të cilit nuk ia kish dhënë të drejtën e zgjedhjes gjatë jetës), mbeti në anën e komunizmit, dhe Lasgush Poradeci u vendos në një arkivol ngjyrë blu, u rrethua me lule e kurora, dhe u ruajt nga të dy anët prej shkrimtarësh të realizmit socialist, me shirita të zinj në krah.
Pjesa tjetër e varrimit, sikurse fati i poetit në faqet e kritikës zyrtare, u udhëhoq po prej tyre. Në fakt, nuk kishin humbur pak. Drejt cilit do ta drejtonin ata tani e tutje atë heshtjen e sëmurë, rrënuese, e të mos merrnin asnjë përgjigje të të njëjtit lloj harbutllëku?! Cili mund të ishte tash e mbrapa aq elegant, i qetë ndaj makthit të tyre për t’i dëshmuar oreçast Lexuesit se ai nuk gjallon më, ka vdekur me kohë, njëheresh me poezitë e rinisë dhe me dashuritë e asaj kohe?! Kushedi sa u duhej të prisnin derisa toka shqiptare t’iu bënte dhuratë një tjetër të gjallë kaq të çmuar. Se vërtet komunizmi ishte i pavdekshëm, por ata ishin të vdekshëm. Matanë nuk i priste asnjë jetë tjetër, asnjë botë tjetër, prandaj asnjëri syresh s’mund të pranonte të humbte një fat të tillë: shkatërrimin e një poeti të lindur. Shkatërrimin e përditshëm, të ngadaltë, të vënë në jetë me më të mbrapshtin sadizëm stërgjyshor. E kanë varrosur aq herë me mend, sa tani s’janë më në gjendje ta varrosin nën tokë. Se cila është toka ku mund të varroset Poradeci?!